Ramazani

Vlera e agjërimit

Shpërblimet dhe mirësitë e agjërimit

2 min lexim·
Vlera e agjërimit

Agjërimi ka një vlerë të veçantë tek Allahu i Lartësuar. Hadithet profetike na tregojnë për shpërblimet e mëdha që presin agjëruesit.

Pesë namazet, prej xhumasë në xhuma dhe prej Ramazanit në Ramazan falen (mëkatet), pos atyre që janë të mëdha (kebair).

Kush agjëron Ramazanin me bindje dhe shpresë në shpërblim, i falen mëkatet e bëra.

Agjërimi — adhurim i veçantë


Çdo vepër e njeriut shtohet, e mira prej dhjetë deri në shtatëqind herë. Zoti i Madhëruar thotë: "Përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe unë e shpërblej, sepse ai braktis kënaqësinë dhe ushqimin për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime: gëzimi i parë është në iftar kurse i dyti në takimin me Zotin e tij. Era e keqe nga goja e agjëruesit është më e mirë te Zoti se aroma e miskut."

Në xhenet ka një derë që quhet Rejjan, nuk hyjnë nga ajo derë përveç agjëruesve.

Muaji i Kuranit


Muaji i Ramazanit, që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra).

Agjërimi është mjet për të shprehur falënderimin ndaj Allahut të Lartësuar. Njëherazi është edhe mjet për të fituar virtytet e të devotshmëve, siç e thekson Zoti xh.sh.: "…që të bëheni të devotshëm." (Bekare, 183)

Agjërimi si liri

Agjërimi nuk është adet, por adhurim (ibadet) për kontrollimin e epshit dhe forcimin e trupit. Preferohet që gjatë Ramazanit të shtohet adhurimi, të shtohen namazet, kërkimi i faljes dhe leximi i Kuranit.

Gjithashtu, preferohet të jepet më shumë sadaka, të ushqehen të mjerët e të varfrit, të vizitohen fqinjët dhe anëtarët e familjes, të bëhen vepra të vlefshme për shoqërinë dhe të pakësohen veprat e padobishme.

Agjërimi mbron nga morali i keq, sepse ai që agjëron nuk flet gjëra të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse (eventualisht) e shan ndokush ose e sulmon, le të thotë: "Unë agjëroj, unë agjëroj."

Në Ramazan ka uri, etje, kufizim dhe ndalim, por edhe shëndet dhe lirim nga robërimi. Revolucioni kundër robërisë është atributi i parë i të lirëve.

Ti je i lirë në sjelljen fisnike dhe nuk dërgohesh nëpër gjyqe. Ti je i lirë në fjalën fisnike, nuk obligohesh të kërkosh falje. Ti je i lirë në bashkëpunim me të tjerët, nuk kritikohesh. Sa e ëmbël është kjo liri!

Artikuj te ngjashem